Franca nuk u përmbajt aspak përballë amatorëve të Gjibraltarit duke fituar 14-0! Skuadra mike luajti me një lojtar më pak prej minutës së 18’, ndërkohë që Kylian Mbappe realizoi tre gola në suksesin e thellë.
Ylli i PSG-së dhe kombëtares së drejtuar nga Didier Deschamps, është ngjitur në kuotën e 300 golave si profesionist. Dhe është ende 24-vjeç. Më shumë se ai (46) me Francën kanë shënuar vetëm Oliver Giroud (56) dhe Thierry Henry (51).
Mbappe foli pas ndeshjes për TF1, aty ku u shpreh: “Është vetëm një pjesë e procesit dhe rrugëtimit tim. Ka lojtarë që kanë shënuar nga 800 apo 850 gola gjatë karrierës së tyre.
Sigurisht që shifra 300 gola është e pabesueshme. Më duhet të vazhdoj kështu përpara, duke u përmirësuar si me klubin ashtu edhe me ekipin kombëtar”, u shpreh sulmuesi i njohur.
Pavarësisht moshës së tij të re dhe arritjeve fantastike, rekordi i golave të francezit është në kontrast të plotë me rekordet e legjendave të futbollit, Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo, me respektivisht 821 dhe 865 gola.
Objektivi i Mbappe është të vijojë me gola, të fitojë Topin e Artë dhe trofe ekipore, ndërkohë që të gjithë presin me kureshtje se ku do të vijojë karrierën. Pasi në verë i përfundon kontrata me PSG-në.