Organizatat e shoqërisë civile kanë organizuar një protestë masive kundër kryeministrit Pedro Sanchez, që arriti të siguronte votat për të vazhduar mandatin.

Kësaj proteste i janë bashkuar edhe partitë e djathta që kanë kundërshtuar marrëveshjen për formimin e qeverisë.

Lideri socialist Sanchez mbijetoi politikisht kur arriti të siguronte votat për kryeministër duke amnistuar politikanët dhe aktivistët që organizuan referendumin për ndarjen e Katalonjës gjatë vitit 2017.

Rreth 170,000 njerëz, sipas policisë, u mblodhën në Plaza de Cibeles në zemër të kryeqytetit spanjoll në përgjigje të thirrjes së liderëve të krahut të djathtë kundër planit të amnistisë.

Thirrjet “Sanchez, tradhtar”, “Sanchez në burg” dhe “Katalonia është Spanjë” u brohoritën nga protestuesit e të gjitha moshave që mbanin flamuj spanjollë dhe të tjerë evropianë të shpërndarë nga Partia Popullore Evropiane.

“Ajo që Pedro Sanchez dëshiron është të ndajë Spanjën në copa, të ketë vendin bask në njërën anë dhe Kataloninë nga ana tjetër, dhe të thuhet se asgjë nuk ndodhi”, tha një protestuese

Kryeministri socialist Pedro Sanchez, në pushtet që nga viti 2018, doli i dyti në zgjedhjet parlamentare të korrikut pas liderit të krahut të djathtë Alberto Nunez Feijoo, por arriti të rikthehet pasi fitoi mbështetje nga grupet rajonaliste, përfshirë partitë pro-pavarësisë katalane.

Në këmbim të votave të tyre, të cilat ishin thelbësore për arritjen e shumicës qeverisëse, Sanchez pranoi disa lëshime, duke përfshirë miratimin e projektligjit të amnistisë për liderët dhe aktivistët separatistë që u ndoqën penalisht për përfshirjen e tyre në përpjekjen për shkëputje të Katalonjës në vitin 2017.

Në fillim të këtij muaji, Brukseli i bëri thirrje Madridit për një shpjegim mbi projektligjin e amnistisë pasi tha se ishte “kontaktuar për këtë çështje nga një numër i madh qytetarësh”.

Turma u shpërnda në mënyrë paqësore pasi u mbajtën fjalime. Demonstratat janë zhvilluar çdo ditë gjatë dy javëve të fundit përpara selisë së Partisë Socialiste në Madrid, disa prej të cilave janë kthyer në dhune dhe kanë rezultuar në dhjetëra arrestime.