Pandemia ndryshoi mënyrën e jetesës për këdo. Ndikimi i saj tashmë ka filluar të shfrytëzohet dhe në industri të ndryshme, për të gjetur mënyra të reja të ofrimit të produkteve apo shërbimeve. Disa e kanë marrë me sportivitet dhe kreativitet, ku rasti më i fundit është ai i ëmbëlsirave më të reja. Trendi i momentit që po bën xhiron e rrjetit janë ëmbëlsirat në formë koronavirusi, të cilat i gjeni në Pragë.

Turizmi ra me 90% në kryeqytetin e Republikës Çeke, që është një ndër qendrat historike që ka më shumë vizitorë. House of the Black Madonna që është njëkohësisht një muze kubist dhe kafene, ka gjetur mënyrën për të tërhequr njerëzit. Shumë do e quanin të papërshtatshëm si produkt, por ëmbëlsirat me formë koronavirusi janë më të pëlqyerat e momentit. Ato u krijuan nga Olga Budnik në valën e parë të pandemisë, por po shënojnë sukses tashmë që infektimet po arrijnë shifra të reja rekord në Republikën Çeke.

Për shkak të fluksit, kafeneja në Pragë tashmë i kërkon klientëve që vijnë në grupe prej 3 vetash ose më shumë, të porosisin paraprakisht për t’u siguruar që kanë mjaftueshëm ëmbëlsira të gatuara. Përbërësit e saj kryesorë janë mjedra dhe çokollata.