Cristiano Ronaldo dhe disa nga lojtarët të tjerë të Juventusit mund të përballen me ligjin pasi iu bashkuan ekipeve të tyre kombëtare, pavarësisht rregullave që nuk e lejonin diçka të tillë pas dy rasteve pozitive në stafin e kampionëve italianë.
Ylli portugez dhe disa futbollistë të tjerë të Amerikës së Jugut si, Paulo Dybala, Juan Cuadrado, Danilo dhe Rodrigo Bentancur u larguan nga hoteli i ekipit të Juventusit pa pritur rezultatet e tamponit.
E gjithë skuadra dhe stafi i Juventusit ishin izoluar nga e shtuna, një procedurë që nuk i ndalon ata të stërviten ose të luajnë, por ndalon kontaktin me personat jashtë.
Personat që rezultuan pozitiv me Covid-19 ishin pjesë e stafit.
Nuk dihet ende nëse Ronaldo dhe shokët e tij të skuadrës janë të infektuar me Covid-19 dhe se çfarë dënimi do të marrin.





