Ish-drejtuesi i Lartë i Policisë së Shtetit, Mit’hat Havari komentoi inkriminimin e radhëve të policisë, të zbuluara nga dekriptimet e bisedave në Sky.

Havari tha se tendenca e policisë për t’u pasuruar ka nisur që nga viti 1992.


Ai tha se RENEA ka qenë një nga sektorët më të përkëdhelur, të cilët ose u katapultuan në politikë me poste të larta, ose bashkëpunuan me kriminelët, ose u bënë vetë kriminelë.

Sipas tij, që Policia e Shtetit të pastrohet duhet një reformë si në Azerbajxhan, ku u larguan nga radhët e policisë 15 mijë efektivë.

“Tendenca për t’u pasuruar ka filluar që në 92-shin. RENEA ka qenë nga më të përkëdhelurit e kohës, janë harruar shumë bandit të tjerë, i ka harruar koha.

Janë larguar nga detyra, janë futur burgjeve, janë bërë bodigard ministrash, janë bërë deputetë, kryetar bashkish dhe kryetar komunash, pasi kanë qenë të përkëdhelurit e kohës dhe i kanë patur duart e lira.

Nuk mohoj dhe punën që kanë bërë, por kanë pasur si synim raportin 60 me 40, 60 për shtetin dhe 40 për xhepin.

Kjo është arsyeja dhe duke mos u goditur u fuqizuan. Këtë nuk e bën dot një ministër, pasi një ministër vjen dhe ikën.

Kjo bëhet siç e bëri Azerbajxhani, larguan 15 mijë forca policie”, tha Havari.