Vëllai i Liridona Ademaj-Murseli, Leondard Ademaj ka folur pas seancës dëgjimore që është mbajtur sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Liridona u vra në mënyrën më mizore dhe makabre që mund të jetë. Ishte grua, motër dhe nanën e fuqishme dhe doli të jetë heroinë dhe për fëmijët e saj. Ne po e përmbajmë vetën sepse ajo nuk donte asnjëherë të na shihte në këtë gjendje”, tha vëllai i të ndjerës. Ai shtoi se në ditën tragjike i kërkuar motrës që të rrinte në shtëpinë e tyre, por ajo vendosi të shkonte me bashkëshortin.
“Pasi ka mrri në Prishtinë, ka folur me babin dhe e i ka kallxu që kanë mbërri por që po shkojnë me hangër darkë. Unë isha në punë dhe më telefonoi gruaja më tha që e kanë vrarë Liridonën, unë mendova që djalin e axhës sepse ai e ka emrin Liridon. Gjendja në shtëpi ka qenë shumë keq, prindërit kanë qenë të alivanosur. Nuk doja me besu që Liridona ka vdekë, kam shkuar në spital Gjakovë dhe kam kërkuar me ju jep qetësues prindërve dhe vazhduam rrugën për në Prishtinë”, ka deklaruar Leonard Ademaj. Ai shtoi se në momentin kur ka arritur në QKUK, policia më thanë që duhet me shku në stacionin policor në Dragodan, kur kam arritur aty Naimi ka qenë duke u intervistuar dhe fëmija.
“Dajë na kan dal përpara na kanë sulmu, na kan lyp paret unë nuk jau kom jep. Jemi kon kerr na ka marrë babi kemi ec rrugës, e kemi harru mamin në kerr”, tregon vëllai i së ndjerës se çfarë i thanë fëmijët. Leonardi theksoi se “nuk mundem me imagjinua në çfarë gjendje ka qenë motra ime kur e ka pa burrin tu ik nga vetura me dy fëmijët”. Ai shtoi se fëmijët nuk e kanë kuptuar ende se ju ka vdekur nëna.
“Nuk ka pasur ditë bese, ne besojmë në drejtësinë e Kosovës. Me fëmijët kemi pasur kontakt, ata janë mirë. Janë duke u përkujdesur prindërit e Naimit”, ka thënë Ademaj. Ademaj shtoi se “uroj që Liridona të jetë rasti i fundi që ka vdek dhe të mos vritet më asnjë grua”. Ai bëri të ditur se nuk i është lejuar hyrja sot në seancën dëgjimore.
“Nuk kom pas informacion që nuk bënë me qenë në seancë sot, e kemi bërë kërkesën për zhvarrosje. Rivarrimi me ndodh sa më shpejtë është më lehtë për neve si familjarë dhe me na u lehtësua dhimbja. Ende nuk kemi marrë përgjigje nga Prokuroria”, tha Ademaj. Vëllai i së ndjerës u shpreh se si familje dyshojnë që motivi i vrasjes të ketë qenë vetëm për shkak të parave.