Kryeministri Edi Rama ka përforcuar idenë e 12 deputetëve socialistë, të cilët kërkuan t’i hapin rrugë ndërtimeve brenda Zonave të Mbrojtura nëpërmjet një ligji të ri që sipas ekspertëve mjedisorë rrezikon shkatërrimin e tyre dhe bie në kundërshtim me direktivat e BE.
Rama tha se kërkesa vjen sipas tij edhe nga një numër gjithnjë e në rritje të kryetarëve të bashkive në vend. Ai shtoi se kjo bëhet për zhvillimin e zonave në fjalë.
Rama: Vjosa dhe parku kombëtar është për ne edhe një shkollë për të kuptuar hap pas hapi se si këto të dyja mund të bashkëjetojnë. Se si ne duhet tu japim një perspektivë komuniteteve që jetojnë në kufi të parqeve kombëtare, për të kuptuar se zhvillimet nuk janë të pamundura por duhen bërë me një sens krejt të ri dhe largpamës. Ne na duhet turizmi i luksit për njerëzit e zakonshëm. Përmes turizmit të luksit, njerëzit e zakonshëm marrin edhe të ardhurat më të mëdha. Jemi në një fazë të rishikimit të zonave të mbrojtura që vjen pas një kërkese të një numri gjithnjë e në rritje të kryetarëve të bashkisë që janë të vetëdishëm për konservimin e natyrës dhe nën presionin e madh për zhvillim ekonomik dhe kombinimi i këtyre të dyjave është domosdoshmëri. As fantazimi i njërës palë për të kundërshtuar çdo gjë dhe as pa diskutim për të prekur çdo gjë në emër të zhvillimit, nuk duhet të na pengojë të gjejmë një ekuilibër harmonik. Projekti i Vjosës park kombëtar na fton dhe do të na udhëheqë.