Për ata që mendojnë se Donald Trump dhe gjërat që lidhen me të nuk kanë ndikim te populli shqiptar, ky lajm i provon të kundërtën. Siç dihet, Presidenti i SHBA u infektua nga COVID-19 dhe la spitalin vetëm në fillimin e kësaj jave. Për t’i uruar shërim të shpejtë, një shqiptar në Kosovë ka bërë gjestin e papritur.

Naim Murseli, i cili është këshilltari i kryetarit të AKR, Behgjet Pacolli, ka vendosur një poster gjigand për Trump në tabelën që ndodhet pranë aeroportit të Prishtinës. Aty shfaqet Donald Trump mes dy flamujve, atij amerikan dhe atij të Kosovës, shoqëruar me një urim për shërim të shpejtë. Murseli është shprehur se ka shpenzuar kursimet e tij për këtë dedikim të veçantë.

“Kam shpenzuar kursimet e mia për të paguar billboardin më të madh dhe më të shtrenjtë, afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, për të nderuar Presidentin Donald Trump dhe popullin amerikan. Njerëzit e Kosovës i urojnë atij shëndet dhe shërim të shpejtë. Zoti i bekoftë vendet tona.”– shkruan Murseli në Twitter.