Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy të rinj, për vepra të ndryshme penale në kuadër të operacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”.

32-vjeçari Izmir Tafili është arrestuar pasi u kap me lëndë narkotike të llojit kanabis, një pjesë të së cilës të ndarë në doza, me qëllim shitjen.

Ndërsa 31-vjeçarit, Erion Qerretit nga kontrolli në celular, iu gjetën faqe aktive, për vënien e basteve sportive.

Njoftimi i policisë:

Shkodër/Aksione të përditshme për të goditur veprimtaritë kriminale që janë fokusi i megaoperacioneve “Tempulli” dhe “Sundimi i ligjit”.

Kishte siguruar sasi cannabisi, me qëllim ndarjen dhe shitjen në doza, arrestohet në flagrancë 32-vjeçari.

Në pranga një 31-vjeçar që u kap në flagrancë duke vënë baste sportive, me celular.

Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike dhe 3 celularë.

Vijojnë pa ndërprerje puna e inteligjencës policore, bashkëpunimi me qytetarët dhe kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, për goditjen e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre. Në këtë kuadër:

-Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të megaoperacionit “Tempulli”, arrestuan në flagrancë shtetasin I. T., 32 vjeç, banues në Shkodër. Nga kontrollet fizik dhe në banesë, shërbimet e Policisë i gjetën 32-vjeçarit, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, një pjesë të së cilës të ndarë në doza, me qëllim shitjen;

-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në vijim të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, arrestuan në flagrancë shtetasin E. Q., 31 vjeç, banues në Shkodër. Nga kontrolli në celularin e 31-vjeçarit, u gjetën faqe aktive, për vënien e basteve sportive.