Trajneri I Teutës, Edi Martini, insiston se skuadra e tij ka qenë viktimë e një gabimi të gjyqtarëve në fundin e ndeshjes, kur për durrsakët u anulua nga VAR-i goli i barazimit potencial dhe këtë gabim e kishte pranuar edhe gjyqtari.“Ne nuk e humbëm ndeshjen. Mendova që ishte pozicion jashtë loje, por takova gjyqtarin e VAR-it dhe më tha “më fal”. Të më thotë më fal gjyqtari kur ka 5 telekamera para televizorit, kjo është çmenduri. I përgëzoj djemtë, por nuk mund të bëhet kjo punë. Kjo e fundit është e pafalshme. Të shohësh në TV, ta thotë me fal ai i VAR-r, të vijë ky dënim nga VAR-i është e pafalshme.

Në pjesën e parë humbëm 3-4 raste të pastra për të shënuar, Dinamo erdhi dy herë me raste spontane e shënoi dy gola, ne ushtruam presion më tepër në pjesën e dytë, patëm raste, por na  mungon lojtari i golit. Por ky gol i anuluar, të kërkojë gjyqtari falje në këtë krizë pikësh, është e pafalshme. Shiheni si të doni, është jashtë çdo logjike.

Ishin mungesa që u shtua Karabeci, nuk kishim as Iljazin e Kotobellin, Ndërruam që të luanim në mënyrën tonë, ndërruam skemë. Por janë gola naivë, që mund të shmangen, me pak këmbëngulje e agresivitet. Me topin në këmbë, ato gola mund të kalohen, e thashë që humbim shumë raste dhe kalon në nervozizëm. Edhe hapësira, siç ndodh në fund, mund të na dëmtonte Dinamo. E kontrolluam lojën, por nuk vlen asgjë, se janë shumë të rëndësishme pikët që nuk po i marrim.

Unë di edhe njerëz që kanë bërë gabime edhe më të mëdha dhe më thonë më fal. Unë e fal. Unë e kuptoj një faj njerëzor, por kur është në TV dhe mund ta shohësh 2, 5, 7 minuta… Nuk e kam me anësorin, ai mund të gabojë, por VAR-i është e pafalshme. Nuk më shqetëson që gabon anësori apo kryesori, por VAR-i është e pafalshme. Jam i bindur që do të ketë një 2024 shumë herë më të mirë se sa është tani dhe do më kujtoni me fjalët e fillimit të kampionatit që pretendojmë për vendin e katërt”, tha Martini.