SHKB e burgjeve ka arrestuar shefin e policisë së burgut të Drenovës.
Sipas informacioneve, Mariglen Kadiu ka ushtruar të njëjtin funksion në burgun e Peqinit prej vitesh. Është arrestuar për shkak të një çështje që i përket këtij institucioni.
Dyshimet janë që mund të ketë lidhje me ngjarjet e fundit të ndodhura në burgun e Peqinit. Ai është lënë në arrest shtëpie nga gjykata. Kadiu ka marrë detyrën e shefit të policisë në IEVP Drenovë rreth 8 muaj më parë.
Pritet informacion zyrtar nga SHKB lidhur me rastin.
Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar arrest në burg për Kadiun, ndërsa gjykata vendosi masë arresti në shtëpi për shkak se ka një fëmijë autik.
Çështja lidhet me rastin e fundit të vrasjes në burgun e Peqinit, ku i dënuari me burg përjetë Sokol Mjacaj vrau me armë zjarri brenda qelisë Arben Lleshin dhe plagosi Indrit Shaqen. Për këtë ngjarje tronditëse brenda burgut, janë hapur hetime dhe disa punonjës policie të burgut të Peqinit janë nën masën e arrestit.





