Banka e Shqipërisë ka blerë afërsisht 200 milionë euro në tregun e brendshëm valutor gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2023.
Sipas të dhënave zyrtare të raportuara deri në fund të 9-mujorit, sasia e valutës së blerë është rritur me 107% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Të dhënat tregojnë se për nëntë muaj Banka e Shqipërisë ka blerë gjithsej 182.7 milionë në ankandet e planifikuara për qëllime të administrimit të rezervës valutore të vendit. Vetëm gjatë tremujorit të tretë të vitit, në këto ankande u blenë gjithsej 66.5 milionë euro, ku në dy prej tyre është blerë shuma maksimale e mundshme prej 18 milionë eurosh.
Ndërkohë, përveç blerjeve të realizuara në ankandet e planifikuara, Banka e Shqipërisë ka kryer dy ndërhyrje në treg nëpërmjet blerjeve të drejtpërdrejta, me qëllim për të parandaluar çrregullimet në kursin e këmbimit valutor.
Banka e Shqipërisë bleu përkatësisht pesë milionë euro në datë 9 qershor dhe 12.1 milionë euro më datë 20 korrik, ditë kur euro pati prekur nivelin minimal historik në kursin e këmbimit me Lekun. Duke përfshirë edhe blerjet që patën qëllim të frenonin rënien e mëtejshme të kursit, Banka e Shqipërisë bleu gjithsej 199.8 milionë euro gjatë 9-mujorit 2023.
Gjatë tremujorit të fundit të vitit, janë zhvilluar edhe katër ankande të tjera, ku vlerësohet të jenë blerë më shumë se 50 milionë euro të tjera.
Gjatë vitit 2023, me objektiv rritjen e rezervës valutore, Banka e Shqipërisë synon të blejë përmes ankandeve 220-300 milionë euro. Ndërkohë, sipas kalendarit të ankandeve, për vitin e ardhshëm shuma e blerjeve në tregun valutor pritet të rritej më tej, në intervalin midis 250 dhe 330 milionë eurove.
Rritja e blerjeve të valutës nga Banka e Shqipërisë për vitet 2023 dhe 2024 lidhet pjesërisht me forcimin e paprecedent të Lekut në kursin e këmbimit valutor dhe me nevojën për ta frenuar disi këtë forcim. Gjatë vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek preku minimumin historik prej 100.49 lekësh, ndërsa rënia vjetore arriti në 14%.
Sipas Bankës së Shqipërisë, forcimi i Lekut lidhet kryesisht me përmirësimin e ndjeshëm të Bilancit të Pagesave. Për herë të parë në historinë e saj si ekonomi e hapur Shqipëria ka një bilanc të jashtëm pozitiv. Në tremujorin e tretë 2023 bilanci i llogarisë korrente ishte pozitiv në vlerën e 354 milionë eurove, përkundrejt një deficiti prej 145 milionë eurosh që ishte shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kjo bëri që për 9-mujorin bilanci i llogarisë korrente të jetë pozitiv në vlerën e 28 milionë eurove. Të paktën që nga hapja e ekonomisë shqiptare, kjo është hera e parë që Shqipëria ka një bilanc të llogarisë korrente progresiv pozitiv.
Nga ana tjetër, forcimi i Lekut është ndikuar edhe nga politika e shtrënguar fiskale e qeverisë. Suficiti fiskal këtë vit ka prekur nivelet më të larta historike, duke kulmuar me shumën e 51 miliardë lekëve në muajin shtator. Kjo ka shtrënguar ndjeshëm ofertën e Lekut në tregun valutor.
Leku ka vazhduar të qëndrojë në pozita mjaft të forta edhe gjatë tremujorit të fundit. Ditën e mërkurë, Euro këmbehej me 103.54 lekë, nivel ky 9.1% më i ulët krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Veçanërisht gjatë muajit nëntor, Euro pësoi një rënie të ndjeshme, kryesisht për shkak të shitjeve të mëdha të valutës që kryen kompanitë e tregtimit të energjisë elektrike, me qëllim pagesën e radhës të taksës së jashtëzakonshme të vendosur mbi to.
Ndërkohë, gjatë muajit dhjetor, Leku u zhvlerësua lehtë, kryesisht për shkak të përqendrimit të madh të shpenzimeve publike gjatë këtij muaji, shpenzime që kanë rritur ofertën e monedhës vendase në tregun valutor./Monitor
Burimi: Banka e Shqipërisë