34-vjeçarja Artila Kamberi nga Gjakova, humbi jetën të enjten, pasi dyshohet se kërceu nga tarraca e katit të dytë në hotelin ‘Venus’.
Por kjo ngjarje deri tani quhet misterioze, pasi nuk dihet shkaku pse e reja u hodh nga tarraca pas sherrit me të dashurin.
Prokurori i Shtetit, Armend Hamiti, tha se është në pritje të egzaminimeve të kryera, ndërsa për rastin janë intervistuar edhe dëshmitarë, të cilët ishin duke qëndruar me të, sipas Gazetës Sinjali, por deri tani nuk ka persona që janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve.
Prokurori tha se rasti po hetohet si “Hetim i vdekjes/ Vetëvrasje” dhe në bazë të rezultateve, do të zbulohen edhe rrethanat e tjera të rastit.
“Rasti është duke u trajtuar me dyshimet si Hetim i vdekjes/vetëvrasje. Nuk ka persona të arrestuar. S’ka persona të dyshuar lidhur me rastin. Jemi në fazë të hetimeve. Jemi t’u këqyrë, tash po i pres rezultatet, ekspertizat, se a ka diçka tjetër”, tha ai.
Në kuadër të hetimit të rastit, është marrë deklarata e Asdren Begollit, 32-vjeçar nga Peja, i cili ishte bashkë me viktimën në momentin kritik, si dhe dëshmitë e dy personave të tjerë.
E ndjera ishte e njohur në qytetin e Gjakovës, pasi kishte biznesin e saj privat për shërbime estetike, por në të kaluarën ka pasur dhe paraqitje publike në disa prej mediave në vend.
Ngjarja tragjike ndodhi rreth orës 03:30, ku Artila Kameri dhe Asdren Begolli, dyshohet të jenë përfshirë në një konflikt verbal me njëri-tjetrin. 34-vjeçarja dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e hotelit dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore që rezultuan të jenë fatale për të.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e saj.
Lidhur me rastin nga Policia thanë se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësja, Flora Ahmeti.