Ligjet liberale për larjen e parave, marrja lehtë e nënshtetësisë, apo hetimet e pamjaftueshme e kanë kthyer Turqinë në vend tërheqës për kriminalitetin ndërkombëtar, mes tyre grupe kriminale nga Shqipëria e Ballkani.
“Kombi im i nderuar, ne kemi arrestuar sot në Alanja dhe Stamboll tre gangsterë të rangut të lartë që ishin në kërkim”, deklaroi këtë javë për mediat sociale ministri i Brendshëm turk, Ali Yerlikaya. “Sado të fuqishme të jenë këto banda, me çfarëdo fletë-arrestimi të kërkohen, ne do t’ua marrim shpirtin”, tha me frymë luftarake, ministri i Brendshëm turk.
Që kur ai ka marrë postin në muajin qershor, nuk kalon asnjë ditë pa arrestuar ndonjë kriminel të rrezikshëm. Mes të arrestuarve ka nga ata që merren me tregtinë e drogës, që japin para me fajde të mëdha, trafikantë qeniesh njerëzore, mashtrues dhe hajdutë, por edhe koka të rëndësishme të bandave ndërkombëtare që kanë hedhur rrënjë vitet e fundit në Turqi.
Kështu ndodhi edhe ditët e fundit. Ministri i Brendshëm Yerlikaya shkruajti në X, ish-twitter, se janë arrestuar Thomas Josef K., bosi i një rrjeti të madh polak droge, Daniel Alexander M., që është në kërkim në Gjermani pasi ka pasur lidhje me një ngarkesë disatonëshe kokaine të kapur dhe P. Jin-king, shefi i një rrjeti kinez mashtrimesh. Vetëm javën e fundit ministri deklaroi arrestimin e kryetarëve të tri bandave belgo-britanike, vietnameze dhe arabe.
Para një muaji u tha se policia turke ka arritur të arrestojë gjithë drejtuesit e bandës “Comanchero”, bandë me aktivitet në gjithë botën. Mes të arrestuarve bëjnë pjesë disa kriminelë nga Australia dhe Zelanda e Re, që kërkohen me urdhër arresti ndërkombëtar nga Interpoli. Yerlikaya postoi edhe video të xhiruara gjatë arrestimeve.