Policia e Kosovës tha të enjten se ka sekuestruar armatim, të gjetur pranë një flamuri të Serbisë, gjatë një patrullimi në fshatin Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të vendit. 

Në raportin e fundit 24-orësh, Policia tha se, gjatë patrullimit të datës 4 janar, ka gjetur “ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm”. 

Policia e ka cilësuar rastin “armëmbajtje pa leje”. 

Sipas Policisë, deri tani nuk ka persona të arrestuar lidhur me këtë rast, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. 

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë. 

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë – duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane. 

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon./REL