Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë u takuan të hënën me drejtues nga sektorët e teknologjisë dhe industrisë së mbrojtjes për të diskutuar se si t’i jepen Ukrainës pajisje moderne amerikane si sistemet ajrore pa pilot ose pajisjet e çminimit dhe si të mbështesin përpjekjen e Kievit për t’u mbrojtur nga Rusia, sipas ndihmësve të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
Jake Sullivan, këshilltari për sigurinë kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, thirri një takim pesë-orësh midis ekspertëve të industrisë dhe zyrtarëve të qeverisë për aftësitë e reja teknologjike që do t’i lejonin Ukrainës të zbulojë dhe eliminojë sistemet ajrore ruse pa pilot dhe të çminojë zona të mëdha në Ukrainë ndërsa kërkesa për një fond prej më shumë se 100 miliardë dollarësh për sigurinë e Presidentit Joe Biden, që përfshinë ndihma ushtarake shtesë për Ukrainën, ende nuk është miratuar nga Kongresi.
Kancelari gjerman Olaf Scholz u kërkoi të hënën vendeve të Bashkimit Evropian që të ofrojnë më shumë ndihmë ushtarake dhe financiare për Ukrainën. Ai kritikoi vendet anëtare të BE-së për mos dërgimin e armëve të mjaftueshme në Kiev dhe u bëri thirrje atyre të bëjnë më shumë.
Ndonëse Gjermania çaloi në mbështetjen e saj për Ukrainës në fillim të luftës, ajo tani është një nga furnizuesit kryesorë të armëve dhe ndihmës financiare për Kievin. Në fund të vitit të kaluar, vendi ra dakord të dyfishonte ndihmën ushtarake për Ukrainën në vitin 2024 në 8.8 miliardë dollarë.
“Sado domethënës të jetë kontributi gjerman, nuk do të mjaftojë për të garantuar sigurinë e Ukrainës në aspektin afatgjatë”, tha zoti Scholz në një konferencë shtypi në Berlin.
Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore rrëzuan 10 objekte ajrore që po i afroheshin qytetit rus të Belgorodit pranë kufirit me Ukrainën të hënën. Tre banorë u plagosën nga bombardimet, tha guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov.
Belgorodi ka qenë në shënjestër të sulmeve të Ukrainës në javët e fundit. Një sulm me raketa dhe dron në fund të muajit të kaluar vrau 25 civilë, përfshirë pesë fëmijë.
Rusia rifilloi strategjinë e saj të bombardimeve dimërore, duke goditur disa zona anembanë Ukrainës të hënën me raketa të mëdha hipersonike dhe ato me vetëdrejtim, duke vrarë të paktën katër persona dhe duke plagosur 30 të tjerë. /VOA