Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të mërkurën se Serbia duke e “vazhduar rrugëtimin drejt metodave” të presidentit rus, Vladimir Putin, nuk përbën rrezik vetëm për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit, por edhe vetë qytetarët e saj, pas arrestimit të dy qytetarëve kosovarë së fundmi nga autoritetet serbe.

Duke folur në mbledhjen e parë të Qeverisë së tij këtë vit, Kurti e akuzoi Serbinë për arrestimin, siç e cilësoi, të padrejtë, të qëllimshëm dhe dashakeq të qytetarëve kosovarë dhe torturimin e qytetarëve të vet.

“Serbia nuk përbën rrezik vetëm për qytetarët tanë, sigurinë tonë, stabilitetin rajonal në Ballkan, ajo së fundmi ka dëshmuar se paraqet rrezik edhe ndaj qytetarëve të saj të cilët janë të gatshëm të kërkojnë falje për gjenocidin serb në Kosovë… Serbia vazhdon rrugëtimin drejt metodave të Putinit, nga frikësimi deri te torturimi çnjerëzor i kundërshtarëve politikë”, tha Kurti para ministrave të vet në mbledhjen e së mërkurës.

Kurti iu referua kryetarit të Partisë Republikane në Serbi, Nikolla Sandulloviq, i cili u paraburgos javën e kaluar në Nish.

Kryeprokurorja Borica Mitiq tha më 5 janar për Radion Evropa e Lirë se paraburgimi i është caktuar atij për shkak të “dyshimit se ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes dhe intolerancës kombëtare, racore dhe fetare”.

Kurti tha se shteti serb “përveç që e rrahu, i ngriti aktakuzë për nxitje urrejtje pasi u përkul në varrin e 7-vjeçares Blerina Jashari, e cila u vra nga forcat serbe”.

Në një video të postuar në rrjetin social më 2 janar, Sandulloviq shihet gjatë një vizite në kompleksin “Adem Jashari” në Prekaz duke vendosur kurorë me lule në monumentin që përkujton ngjarjet e 5, 6 dhe 7 Marsit 1998, kur forcat serbe vranë mbi 50 anëtarë të familjes së Adem Jasharit, një nga themeluesit e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kurti foli edhe për arrestimin e qytetarëve të Kosovës në Serbi së fundmi.

Hasan dhe Xhavit Dakaj u arrestuan më 5 janar nga autoritetet serbe pasi kaluan kufirin me Kosovën në pikëkalimin kufitar në Merdarë.

Një ditë më vonë, Gjykata e Lartë në Beograd ia shqiptoi masën e paraburgimit prej një muaji Hasan Dakajt, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), i cili po akuzohet për krime lufte.

Xhaviti, vëllai i tij, u lirua.

“Hasan Dakaj vazhdon të mbahet atje padrejtësisht dhe në mënyrë arbitrare. Kjo nuk është hera e parë as nuk paraqet rast të izoluar. Kjo është një sjellje e qëllimshme dhe dashakeqe e Serbisë, që bie ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, tha Kurti.

Serbia vazhdon t’i mbajë në paraburgim edhe dy qytetarë të tjerë të Kosovës, Petrit Dula dhe Nezir Mehmetaj, të dy gjoja për kryerjen e krimeve kundër popullatës civile gjatë luftës në Kosovë, shtoi ai.

“Nezir Mehmetaj ka qëndruar për muaj të tërë në paraburgim pa aktakuzë, në kundërshtim edhe me vetë ligjet e Serbisë, këtë e ka konfirmuar edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi”, nënvizoi ai.

Petrit Dula vuan dënimin e gjykatës së shkallës së parë në Beograd me dy vjet burgim “përkundër që dëshmitari në rastin e tij ka mohuar që Dula është autor i veprës edhe kur është marrë në pyetje nga autoritetet në Podgoricë në vitin 2011”.

Kosova ka kërkuar ekstradimin e Dulës dhe Mehmetajt nga Serbia, por nuk ka marrë përgjigje kurrë, tha Kurti.

Kurti e akuzoi Serbinë gjithashtu se nuk po e respekton Marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes dy vendeve për normalizimin e marrëdhënieve, e cila u arrit në fillim të vitit të kaluar.

“Neni një i marrëveshjes thotë që palët, pra Kosova dhe Serbia, do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejtat e barabarta. Serbia, megjithatë, zgjedh gjithçka mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira me neve, ajo në të vërtetë zgjedh ta sulmojë Kosovën, siç bëri më 24 shtator 2023 në Banjskë, dhe pastaj t’i mbrojë kryerësit e kësaj vepre në krye me Millan Radoiçiqin”, ka thënë Kurti.

Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e mori përgjegjësinë për kryerjen e sulmit ndaj Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur vitin e kaluar në veri.

Kosova e ka kërkuar ekstradimin e tij, por Serbia e ka hedhur poshtë këtë mundësi./ REL