Një tërmet me magnitudë 2.4 goditi sot rajonin Kilju, pranë një vendi testimi bërthamor në Korenë e Veriut, tha agjencia meteorologjike e Koresë së Jugut, duke shtuar se tërmeti ishte me origjinë natyrore.

Tërmeti u regjistrua në orën 19:00 me orën lokale në një distancë prej 41 kilometrash në veriperëndim të qytetit Kilju dhe në një thellësi prej 20 kilometrash, sipas Administratës Meteorologjike të Koresë së Jugut.

Koreja e Veriut kreu gjashtë teste bërthamore midis 2006 dhe 2017.

Testi i fundit, në vitin 2017, shkaktoi një tërmet me magnitudë 6.3 që u ndje deri në Kinë.

Sipas ekspertëve, bomba atomike e përdorur në atë kohë kishte një fuqi prej rreth 250 kilotonësh, që është gjashtëmbëdhjetë herë më shumë se ajo e hedhur në Hiroshima në vitin 1945.

Në muajt e fundit, lëkundje të vogla tërmeti janë regjistruar në periferi të Kilju, sipas agjencisë meteorologjike të Koresë së Jugut.

Ekspertët e cituar nga agjencia e lajmeve Yonhap thanë se është e mundur që toka e granitit të zonës të jetë bërë e paqëndrueshme për shkak të testeve të mëparshme bërthamore.

Në vitin 2018, agjencitë e inteligjencës amerikane vlerësuan se Pheniani posedonte mjaftueshëm materiale të zbërthyeshme për të ndërtuar 65 bomba atomike dhe për të prodhuar 12 të reja çdo vit.