Grupi Parlamentar i PD i është drejtuar sot Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për marrjen e një opinion këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për zbatimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Protokollin ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.
Shqipëria, si shtet anëtar i Këshillit të Europës dhe ratifikues i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ka detyrimin të sigurojë çdokujt brenda territorit të saj të drejtat dhe liritë e përcaktuara nga Konventa. “Në këtë kuptim, është shumë e rëndësishme që gjatë shqyrtimit të kushtetutshmërisë së Protokollit, Gjykata të analizojë dhe konkludojë mbi shkeljet e pretenduara të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, të cilat njëkohësisht përbëjnë edhe shkelje të Kushtetutës.”- thuhet në shkresën e firmosur nga Kryetari i Grupit të PD Gazment Bardhi.
Në argumentimin e kërkesës Grupi Parlamentar i PD evidenton se duke pasur parasysh pretendimet e kërkuesve lidhur me shkeljen e lirive dhe të drejtave të garantuara nga Konventa, reagimet e organizatave vendase dhe ndërkombëtare, veçanërisht qëndrimin e Komisioneres së Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, natyrën shumë specifike të kësaj marrëveshjeje, impaktin e saj të gjërë kombëtar dhe ndërkombëtar, mungesën e precedentëve të mëparshëm nga Gjykata Kushtetuese, jurisprudencën e kufizuar të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në këtë drejtim, si dhe juridiksionin eskluziv të kësaj të fundit për të bërë interpretimin e Konventës dhe Protokolleve të saj, si dhe interesin e shtetit shqiptar, i cili, në eventualitetin e ratifikimit, mund të përballet me ankime në GJEDNJ për shkelje të Konventës, në mbështetje të nenit 1, të Protokollit nr. 16, të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, nenit 44/b, të Ligjit nr. 8577/2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, dhe nenit 35, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, kërkojmë marrjen e një opinion këshillimor nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut për zbatimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Protokollin ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.