Të paktën “katër civilë” u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën në Kurdistanin irakian në sulmet me raketa të Gardës Revolucionare të Iranit mbrëmë, njoftuan autoritetet e rajonit autonom në orët e para të mëngjesit.

“Garda Revolucionare e Iranit gjuajti raketa balistike në zonat civile në Arbil, duke vrarë katër civilë dhe duke plagosur gjashtë të tjerë”, tha Këshilli i Sigurimit i Kurdistanit.

Pak kohë më parë, fraksioni politik në pushtet në Erbil, Partia Demokratike e Kurdistanit (KDP), njoftoi vdekjen e civilëve, duke përfshirë një biznesmen të pasurive të patundshme dhe anëtarët e familjes së tij.

Garda Revolucionare e Iranit njoftoi se ata kishin nisur sulme me raketa balistike kundër qendrave të spiunazhit dhe “vendeve të grumbullimit të grupeve terroriste anti-iraniane” pranë Arbilit në Irakun verior, duke pretenduar se kishin shkatërruar “selinë e spiunazhit të Mosadit izraelit në Kurdistanin irakian”, sipas agjencia Fars news.

“Garda identifikoi dhe shkatërroi zonat e grumbullimit të komandantëve dhe vendndodhjet e tjera me raketa balistike në përgjigje të mizorive të fundit terroriste në Iran”, thuhet në të njëjtën deklaratë.

Objektivat e sulmit, sipas Gardës Revolucionare, ishin gjithashtu pozicione të grupit xhihadist të Shtetit Islamik, i cili mori përgjegjësinë për bombardimin e 3 janarit në qytetin iranian të Kermanit që vrau afro 100 njerëz gjatë një ceremonie në kujtim të gjeneralit Qassem Soleimani.