SPAK ka njoftuar ishkryeministrin Sali Berisha për t’u marrë në pyetje ditën e enjte për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Avokatët mbrojtës kanë kërkuar që të caktohet një datë tjetër për marrjen në pyetje të ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi kanë deklaruar se kanë impenjime të tjera në atë ditë.

Referuar të njëjtave burime, SPAK gjithashtu ka njoftuar dhëndrin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezin për ta marrë në pyetje ditën e sotme në cilësinë e personit nën hetim.

Ndaj Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit është caktuar masa e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe po hetohen nga SPAK për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Sipas organit të akuzës, ishKryeministri Berisha ka konsumuar akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, kryer në bashkëpunim. Vepër kjo e ngritur nga SPAK pas dyshimeve se Berisha kur mbante detyrën e kryeministrit ka kryer veprime duke miratuar ligje apo akte nënligjore me qëllim që në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, të paraqiteshin 5 familjet e njohura pronare, ku fitues ndër të tjerë ishte Jamarbër Malltezi.