Ish-deputeti dhe ish-kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka shtruar disa pyetje që duan përgjigje për megaaferën me inceneratorët.
Këlliçi deklaron se inceneratorët nuk po shkojnë drejt mbylljes siç mund ta mendojnë njerëzit, ndërsa deklaron se nuk dihen ku kanë shkuar 170 milionë euro.
Ai pyet se ku kanë përfunduar këto para. Gjithashtu, ish-deputeti kërkon të dijë nëse inceneratorët janë aferë e një drejtori në Bashkinë e Tiranës dhe nëse në të është përfshirë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
“U bënë disa muaj që vazhdojmë të denoncojmë me dokumente, të përcjella zyrtarisht tek Altin Dumani, Drejtues i SPAK, dhe ende nuk kemi asnjë zhvillim të ri, apo hetime të thelluara për aferën më të madhe të shekullit. Pyetja që me të drejtë bën sot çdo shqiptar është: Përse nuk kërkon SPAK anulimin e kësaj kontrate korruptive, e cila vijon të vjedhë miliona euro të taksapaguesve shqiptarë çdo muaj?
Përse nuk merren masa konkrete për bllokimin e aseteve financiare të përfituara në mënyrë të paligjshme nga biznesi i dherave, që vazhdojnë të ushqejnë me para avokatët publikë, që ende kanë kurajë të mbrojnë inceneratorët që nuk ekzistojnë, por edhe linçojnë e baltosin çdo individ që denoncon këtë skemë kriminale? Për sa kohë SPAK nuk vepron, automatikisht bëhet palë me autorët e kësaj skeme”, tha Këlliçi.