Ministri i Brendshëm Taulant Balla zhvilloi një takim në shkollën e Mesme Arristike “Ajet Xhindole” në Berat, ku u interesua rreth zbatimit të “paketës së sigurisë në shkolla” dhe rezultateve të arritura.
Në bashkëbisedimin që pati me stafin drejtues të shkollës dhe një përfaqësi të nxënësve, ishin të pranishëm edhe drejtues të pushtetit vendor dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.
Ministri Balla theksoi se paketa e sigurisë në shkolla, mbetet një objektiv shumë i rëndësishëm i punës së Policisë së Shtetit dhe që ka nevojë të konsolidohet më tej, duke përfshirë edhe problematikat e dala nga fenomeni i krimit online, që po shfaqet përmes formash nga më të ndryshmet.
“Paketën e sigurisë në shkolla duhet ta konsolidojmë sepse gjithmonë dalin gjëra të reja. Kur e filluam paketën, nuk e kishim menduar që një prej shqetësimeve janë krimet kibernetike, apo online, të cilat janë shqetësim edhe për familjet, mësuesit etj”, tha ai në lidhje me këtë fenomen.
Duke vlerësuar punën e bërë nga DVP Berat për zbatimin e paketës së sigurisë në shkolla, Ministri Balla u shpreh se ajo mbetet një objektiv shumë i rëndësishëm.
“Kemi diskutuar me Prokurorin e Përgjithshëm për të shtuar një dimension tjetër te paketa e sigurisë, që lidhet me dhunën dhe format e saj online. E vërteta është që ky shqetësim na vjen nga shumë prindër. Unë personalisht marr mesazhe nga prindër, që shqetësohen se vajza apo djali i tyre dhunohet online nga bashkëmoshatarë të fshehur në llogari të tjera dhe që kjo ka sjellë gjithmonë një shqetësim nga ana e tyre.
Unë dua t’ju garantoj që Policia e Shtetit po punon që bashkë me prokurorinë, të rrisim sa më shumë forcën tonë parandaluese, pra që edhe kjo formë e re të marrë një zgjidhje nga ana jonë. Por kjo ka vetëm një kusht, kushti ynë është që të kemi sa më shumë bashkëpunim nga ana juaj. Sa më shumë të rinj, nxënës, por edhe staf arsimor, që bashkëpunojnë me ne, për të na dhënë sa më shumë informacion; bie fjala, te rruga aty kur dilni nga shkolla, aty mund të jetë dikush që synon të bëjë tregti me shëndetin tuaj, duke shitur lëndë narkotike.
Mjafton një informacion që ju mund të na jepni në mënyrë të besuar, drejtorit të shkollës, kryetarit të bashkisë ose mund të na e jepni drejtpërdrejt ne! Ne jemi aty për të garantuar që askush të mos afrohet, sepse mendoj dhe këtu biem të gjithë dakord që përdorimi i lëndëve narkotike, jo vetëm që dëmton shëndetin tuaj në radhë të parë, krijon varësi, por dëmton edhe shëndetin financiar të familjes tuaj, më keq akoma,” nënvizoi Ministri gjatë fjalës së tij.
Më tej, duke folur në lidhje me gjendjen e rendit dhe sigurisë në qark dhe mbi parametrat dhe rezultatet e arritura Balla tha se Berati nuk është më qyteti i dhjetë viteve më parë.
“E vërteta është që Berati ka ndryshuar plotësisht, por ky ndryshim i madh e ka shndërruar Beratin edhe në një destinacion të rëndësishëm turistik. Berati ka qenë dhe mbetet një gur i çmuar i asaj që na ka ruajtur historia, por e vërteta është që ky guri i çmuar tashmë është pastruar edhe ka dalë në dritë. Dhe kjo rilindja do ta quaja unë, e Beratit, ka sjellë edhe rritjen e numrit të madh të turistëve, qofshin vendas, qofshin të huaj që e vizitojnë Beratin në çdo ditë të javës. Por e bukura dhe lajmi i mirë është që tashmë Berati ka edhe kapacitete akomoduese për një turizëm më të zgjatur.
Por në aspektin tonë të sigurisë kjo është rritje e përgjegjësisë edhe më të madhe. Kështu që në këtë aspekt ne do bëjmë gjithçka për të forcuar përkujdesjen dhe rritjen e parametrave të sigurisë jo vetëm në qytetin e bukur të Beratit, por në të gjithë qarkun sepse e vërteta është që i gjithë qarku ka ofertat e veta turistike. Këtu është historia, por në pjesë të tjera të qarkut janë kanionet apo le të themi destinacionet e tjera të turizmit për këtë qark.
Kështu që në këtë aspekt e kemi të qartë dhe dua që ky transformim i madh që po ndodh në Berat dhe kjo rilindje e vërtetë e këtij qyteti, që është në fakt e thash një gur i çmuar, ne ta mbështesim edhe në rritjen e parametrave të sigurisë. Nuk dua t’i dal para analizës që kemi, por e vërteta është që parametrat e sigurisë i kemi pasur, por dua t’i konsolidojmë edhe më tej,” theksoi Ministri Balla në lidhje me këto problematika.