Autoritetet ekuadoriane kanë arrestuar 68 anëtarë të një bande kriminale në vend pasi ata sulmuan një spital në qytetin Yaguachi, në provincën Guayas.

Zyrtarët thanë se kriminelët e arrestuar u përpoqën të merrnin nën kontroll spitalin , në të cilin një anëtar i bandës së tyre po merrte trajtim.

Policia tha se qëllimi i ndërhyrjes së armatosur ishte të ruanin pacientin në fjalë nga sulmet e mundshme nga rivalët.

Në Ekuador ka pasur incidente të mëparshme ku anëtarët e bandave kanë qenë në shënjestër gjatë qëndrimit të tyre në spital.

Në vitin 2022, shtatë persona të armatosur u arrestuan kur sulmuan një spital në qytetin Chone në kërkim të një anëtari të bandës rivale, i cili ishte në kujdes intensiv.

Gjatë atij incidenti, infermierët dhe stafi i spitalit u morën peng ndërsa anëtarët e bandës shkëmbyen zjarr me policinë.