Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi buxhetin për shërbimin spitalor këtë vit.
Fondi total për spitalet publike për 2024 është 32,2 miliardë lekë, ndërsa buxheti për QSUT (Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”) është 7.8 miliardë lekë. Sipas të dhënave zyrtare, në buxhetin e QSUT për këtë vit do të shpenzohen për koncesionin e laboratorit 820 milionë lekë, ose rreth 10.4% të buxhetit vjetor të spitalit më të madh në vendin tonë.
Kosto e shërbimit të laboratorit në QSUT është më shumë se trefishi i kostos së këtij shërbimi në spitalet ndërkombëtare.
Studimi “Hospital Cost Structure and the implications on Cost Management During COVID-19” që mori informacion e kostos për 3521 spitale private tregoi së shërbimi i laboratorit zinte 3.8% të kostos së përgjithshme.
“Zëri i vetëm më i madh janë kostot administrative dhe të përgjithshme (21.4% e të gjitha kostove operative). Kostot e tetë shërbimeve të kujdesit ndaj pacientëve, salla e operacionit (8.4%), laboratori (3.8%), radiologjia diagnostike (2.7%), kujdesi i përgjithshëm rutinë në spital (9.1%), njësia e kujdesit intensiv (2.2%), klinika ambulatore (4.2 %), dhoma e urgjencës (3.9%) “, thuhet në studim.
Siç shihet nga krahasimi i të dhënave koncesionet e kanë deformuar dukshëm strukturën e kostos në spitalet tona por sidomos në QSUT. Pesha e shpenzimit të shërbimi i laboratorit në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” është 3,2 herë më i lartë se mesatarja ndërkombëtare.
Struktura e kostos përkeqësohet edhe me tepër, nëse studiohet koncesioni i sterilizimit. Në Shqipëri nuk ka të dhëna zyrtare as studim për ndarjen e kostove gjatë një operacioni, por për shumicën e rasteve pastrimi dhe sterilizimi i sallës kushton më shumë se puna e kirurgut në sistemin publik.
Hierarkia e kostove në spitalet publike të vendit është dëmtuar rëndë nga koncesionet PPP, të cilat tashmë janë nën hetim dhe ka edhe të arrestuar për shkak të abuzimeve të gjetura.
Siç shihet nga të dhënat zyrtare në vendimin e qeverisë QSUT dhe Spitali rajonal i Fierit përballen me kosto të larta të shërbimit të laboratorit në raport më buxhetin e përgjithshëm që kanë këtë vit.
Për më tepër vlera e kontratës se PPP të laboratorit po rritet vit pa viti për shkak të parashikimeve të dobëta. Mungesa e pagesave për koncensionin shoqërohet me kufizimin e shërbimit të laboratorit.
Vlera e kontratës është 13 miliardë lekë, ose rreth 106 milionë euro, dhe afati i saj përfundon në vitin 2028. Por pagesat për këtë koncesion janë rritur vit pas viti. Nga 1.1 miliardë lekë që u paguan nga buxheti në 2021, shuma u rrit në 1.85 miliardë lekë në 2024./Monitor