Sirena alarmi për një luftë të mundshme me Rusinë po “bien” në të gjithë Europën. Gjenerali britanik Sir Patrick Sanders ka bërë thirrje për një mobilizim të përgjithshëm të qytetarëve dhe nisjen e përgatitjeve për një luftë të mundshme.
“The Indipendent” shkruan se Sanders u shpreh se forcat e tij, duke përfshirë të gjitha rezervat, nuk do të ishin të mjaftueshme për të mbrojtur vendin nëse do të kishte një luftë, dhe në këtë moment është thelbësore që Britania të vendosë themelet për “mobilizimin kombëtar”.
Gjatë një konference në Londër, gjenerali Sanders tha se brenda tre viteve Britania duhet të jetë në gjendje të rrisë ushtrinë e saj në 120 mijë trupa duke përfshirë ushtarë të rregullt, rezerva dhe një grup si “rezervë strategjike”.
Sipas statistikave të fundit të Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarët e rregullt dhe rezervistë aktualisht janë 102.520.
“Miqtë tanë në Evropën Lindore dhe Veriore, të cilët e ndjejnë afërsinë e kërcënimit rus, tashmë po veprojnë me maturi, duke hedhur themelet për mobilizimin kombëtar,” tha ai.
Gjithashtu “The Independent” shkruan se shefi i shtabit të përgjithshëm është kundër rekrutimit, por mendon se civilët duhet të përfshihen në mbrojtjen e Britanisë në një kohë konflikti.
“Siç paralajmëroi kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s javën e kaluar, dhe siç ka bërë qeveria suedeze, përgatitja e Suedisë për hyrjen në NATO, marrja e hapave për të mundësuar vendosjen e shoqërive tona në një bazë lufte kur është e nevojshme, tani nuk janë thjesht të dëshirueshme, por thelbësore. Ne nuk do të imunë dhe si brezi i paraluftës duhet të përgatitemi në mënyrë të ngjashme”, theksoi ai.
I pyetur në lidhje me komentet e Gjeneral Sanders, zëdhënësi zyrtar i kryeministrit britanik Rishi Sunak tha se “skenarët teorikë” rreth konflikteve të mundshme në të ardhmen “nuk ishin të dobishëm”. Kur u pyet nëse ishte dakord me gjeneralin, zëdhënësi u përgjigj thjesht “jo”.
Ndërhyrja e gjeneralit Sanders vjen vetëm disa ditë pasi komandanti ushtarak i NATO-s, Admirali Rob Bauer tha se aleanca ushtarake duhet të përgatitet për konflikt me forcat e Putinit në 20 vitet e ardhshme.
Ai tha se një numër i madh civilësh do të duhet të thirren nëse konflikti vjen me shpejtësi në Evropë dhe se qeveritë duhet të konsiderojnë “mobilizimin, rezervistët ose rekrutimin e trupave”.
Sanders shtoi se Mbretëria e Bashkuar nuk do t’i shpëtojë pasojave të luftës gjithëpërfshirëse dhe duhet të jetë e përgatitur për çdo rast. “Ukraina pasqyron shembullin se ushtritë normale fillojnë luftërat, por ushtritë qytetare i fitojnë ato.”
“Gjatë 30 viteve të fundit, ushtria është përgjysmuar në madhësi; në 12 vitet e fundit, ne kemi pasur një ulje prej 28 %”. Kjo ndodhi ndërkohë që ekziston “një rend i brishtë botëror që armiqtë tanë dëshirojnë ta çmontojnë”, ka thënë Sanders.
Sipas propozimeve të qeverisë britanike, madhësia e ushtrisë së rregullt do të reduktohet në 73,000 trupa deri në vitin 2025, por The Times ka sugjeruar se numrat mund të bien nën atë shifër që në vitin e ardhshëm dhe të vazhdojnë në një trajektore në rënie.
Nëse ushtria vazhdon të largojë trupat me ritmin aktual, numri i ushtarëve të rregullt do të bjerë nën 70,000 deri në vitin 2026, sipas shifrave të përpiluara nga gazeta.