Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka thënë nga Shkodra se koha e të fortëve në qytetin verior ka përfunduar. Në një komunikim me gazetarët, Balla u shpreh se në këtë qytet janë 247 persona në kërkim dhe se policia është e fokusuar tek kjo listë.
Balla deklaroi gjithashtu se një prej sfidave më të rëndësishme të Policisë së Shtetit mbetet kontrolli i territorit dhe lufta kundër çdo fenomeni kriminal apo informaliteti.
Ministri tha ndër të tjera se nuk mund të ketë as lagje, as zona ku policia nuk mund të ndërhyjë apo ushtrojë dot sundimin e ligjit dhe forcën e vet.
“Unë e di fare mirë kush është detyra ime dhe e Policisë së Shtetit, të garantojmë një Shkodër të qetë me siguri publike të garantuar. Të parandalojmë sa më shumë aktivitete kriminale, por dhe krime të rënda kundër personit. Kjo vjen edhe për pasojë të faktit të mos zbulimit në kohë të krimeve të rënda të ndodhura në vite. Kemi 247 persona në kërkim në Shkodër. Sot jemi fokusuar te kjo listë për të shkuar një për një tek secili prej tyre, një pjesë vazhdojnë të jenë e të fshihen këtu në Shkodër. Detyra e Policisë së Shtetit edhe në koordinim me agjencitë e tjera ligjzbatuese, me Prokurorinë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me SHISH është t’i gjejë dhe t’i vendosi ata para drejtësisë. Koha kur në Shkodër të fortit kishin bajraqet e tyre, feudet e tyre, ku nuk mund të hynte dot policia ka mbaruar. Kam qenë shumë i qartë në porosinë ndaj DVP për t’i dhënë fund kësaj historie, pra këtu nuk mund të ketë as lagje, as zona ku policia nuk mund të ndërhyjë apo ushtrojë dot sundimin e ligjit dhe forcën e vet.
Kjo është një detyrë primare dhe dua të garantoj çdo qytetar të Shkodrës, sipërmarrësit e Shkodrës, të cilët kanë vuajtur problematika të “haraçeve”, të historive që ju i dini më mirë se unë. Kjo gjë nuk mund të tolerohet më, prandaj një prej objektivave të mia dhe Policisë së Shtetit është dhënia fund historisë së “të fortëve”, të “bajraqeve”, të “feudeve”. Ndërkohë po vazhdojmë të konsolidojmë forcën tonë parandaluese të çdo lloj forme kriminaliteti. Lojërat e paligjshme të fatit mbeten një sfidë tjetër ndaj së cilës po operojmë. Kemi pasur rezultate të cilat kanë qenë pjesë e vlerësimit në këtë analizë”, tha ministri.