Një gjykatë në Pakistan ka dënuar ish-kryeministrin Imran Khan dhe Shah Mahmood Qureshi, një prej zyrtarëve të lartë të partisë së tij, Pakistan Tehrik-e Insaf (PTI), me dhjetë vjet burgim secilin, pasi ata u gjetën fajtorë për zbulim të sekreteve shtetërore.

Gjykatësi i Gjykatës Speciale, Abul Hasnat Zulqarnain, bëri të ditur vendimin më 30 janar në një seancë të mbajtur brenda burgut Adiala.

Khan, i cili u rrëzua nga pushteti përmes një mocioni mosbesimi në Parlament në prill të vitit 2022, aktualisht është duke vuajtur një dëmin prej tre vjetësh burgim për një rast korrupsioni.

Khanit veçse i është ndaluar që të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të caktuara për 8 shkurt, për shkak të një dënimi paraprak.

Partia PTI tha se do të sfidojë vendimin dhe tha se ka shpresë që dënimi do të anulohet.

“Ne nuk e pranojmë këtë vendim të jashtëligjshëm”, tha avokati i Khanit, Naeem Panjutha, përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.

Dënimi i fundit vjen pasi Khan kishte zbuluar një dokument konfidencial diplomatik gjatë një tubimi publik, pas rrëzimit të tij nga pushteti në vitin 2022.

Atëbotë, Khan pretendoi se dokumenti, të cilit i ishte referuar me termin “Cipher”, ishte dëshmi se rrëzimi i tij ishte orkestruar nga ushtria e fuqishme e Pakistanit në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Si ushtria, ashtu edhe Uashingtoni, kishin mohuar këto akuza.

Dokumenti nuk është bërë publik, por duket se ai përmbante një komunikim të një kabllogrami diplomatik mes Ambasadës së Pakistanit në Uashington dhe Ministrisë së Jashtme të Pakistanit.

Pavarësisht se i është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme, Khan 71 vjeç, dhe partia e tij PTI ende gëzojnë popullaritet të madh në Pakistan.

Më 21 tetor 2023, ish-kryeministri Nawaz Sharif, që ka mbajtur këtë post për tri mandate dhe që është një rival i kamotshëm i Khanit, u kthye në Pakistan pasi për katër vjet kishte qëndruar në mërgim dhe nisi fushatën zgjedhore me partinë e tij Liga Myslimane e Pakistanit, duke mbajtur një tubim të madh në Lahore, sipas REL.

Partia e Khanit dhe e Sharifit konsiderohen si partitë kryesore në zgjedhjet e ardhshme.
Pakistani, shtet me 241 milionë banorë, është mbërthyer nga një krizë e rëndë ekonomike dhe ka përjetuar rënie të shpejtë të standardit të jetesës.