Tetë presona të armatosur dhe të veshur si forcat komando bllokuan rrugën shtetërore 131, në provincën e Sassari në Itali, dhe grabitën një furgon që po transportonte para.

Dy prej tyre afrohen të armatosur drejt makinave dhe u kërkojnë shoferëve që të zbresin.

Sipas mediave italiane, gjatë grabitjes pati të shtëna, ndërsa u plagos në këmbë njëri prej rojeve të sigurisë, ndërsa tre të tjerë morën lëndime pasi u dhunuan.

Po ashtu grabitësit u përfshinë dhe në një shkëmbim zjarri me policinë, ndërsa raportohet se njëri prej tyre mbeti i plagosur.

Për të ndaluar furgonin e blinduar grabitësit, sipas Ansas, përdorën një zinxhir të madh me gozhdë të cilin e hapën në rrugë si dhe dy makina të tjera të cilave më pas u vendosën flakën duke bllokuar qarkullimin në këtë rrugë.

Ata mundën të largohen me shpejtësi ndërsa në ndjekje të tyre u vendosën forca të shumta të policisë si dhe karabinierët. Ndërkohë patrulla të shumta janë ngritur në të gjitha akset ndërsa po kryhen dhe fluturime me helikopterë.

Të plagosurit u dërguan drejt spitalit ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihet shuma e parave që grabitësit morën nga furgoni.