Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj katër kolonëve izraelitë, pasi presidenti Joe Biden tha se dhuna kundër civilëve palestinezë në Bregun Perëndimor kishte arritur nivele të patolerueshme.
Sanksionet shënuan një lëvizje të rrallë të Shteteve të Bashkuara kundër izraelitëve teksa lufta me Hamasin në Rripin e Gazës sa vjen e po ashpërsohet. Biden udhëtoi për në Michigan, komuniteti i konsiderueshëm arabo-amerikan i të cilit ka shprehur zemërimin për mbështetjen e tij për Izraelin.
Biden lëshoi një urdhër ekzekutiv që parashtronte bazat për masat e SHBA-së në përgjigje të sulmeve dhe “akteve të terrorizmit” në Bregun Perëndimor, ku kolonët janë tërbuar kundër palestinezëve në mes të fushatës ushtarake të veçantë në Rripin e Gazës.
“Situata në Bregun Perëndimor, në veçanti nivelet e larta të dhunës së kolonëve ekstremistë, zhvendosja e detyruar e njerëzve dhe fshatrave dhe shkatërrimi i pronave, ka arritur nivele të patolerueshme dhe përbën një kërcënim serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin,” tha Biden.
Departamenti i Shtetit njoftoi më vonë sanksione kundër katër kolonëve. Çdo pasuri që ata mbajnë në Shtetet e Bashkuara do të bllokohet.