Një bos i mafies Italiane, i cili u arratis nga një burg i sigurisë maksimale vitin e kaluar duke përdorur çarçafët e shtratit për të kaluar muret, është kapur në Francë. Marco Raduano, bosi 40-vjeçar i mafies Gargano në rajonin jugor italian të Pulias, u kap të enjten jashtë një restoranti luksoz në Bastia, Korsikë, ku po darkonte me një shoqëruese femër.

Ai u kap nga e njëjta njësi antimafia që kapi Matteo Messina Denaro, një tjetër bos kriminal që shpenzoi gati tre dekada në arrati. Rauduona u rendit si një nga 10 të arratisurit më të rrezikshëm të Europolit. Gjithashtu u kap dhe krahu i tij i djathtë, Gianluigi Troiano, i cili u largua nga arresti shtëpiak në vitin 2021, pasi shkëputi byzylykun e tij elektronik. Ai u arrestua të enjten në Granada të Spanjës teksa merrte një paketë nga një pikë shërbimi.

Operacioni i përbashkët u urdhërua nga Drejtoria e Qarkut Anti-Mafia e Barit, Pulia dhe u krye nga Karabinierët e ROS dhe komanda provinciale e Foggia, Pulia. Guardia Civile spanjolle dhe Gendarmerie Nationale franceze gjithashtu bashkëpunuan në arrestim.

Arratisja e Raduanos duke lidhur çarçafë nga dritarja e burgut të tij më pak se një vit më parë u kap nga kamerat e sigurisë së burgut. Arratisja zgjati 16 sekonda dhe ai u arratis në këmbë dhe asnjë gardian nuk e vuri re, gjë që çoi në një hetim të brendshëm të burgut të sigurisë maksimale.

Raduano vuante dënimin prej 24 vitesh burgim për trafik droge kur u arratis, dhe u dënua me burgim të përjetshëm në mungesë pas arratisjes së tij për nxitjen e vrasjes së mafiozit Omar Trott në një bar në Vieste, Itali, në vitin 2017.