Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji iu është bashkuar reagimeve me rastin e vizitës sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Tiranë.

Salianji pohon se proamerikanizmi i vërtetë duhet treguar kur vendi lufton korrupsionin, mban zgjedhje të lira dhe ku qeveria kontrollohet dhe jep llogari.

Reagimi i Salianjit:

Blinken, pasurim i traditës tonë pro-amerikane
Është mirë për Shqipërinë e për shqiptaret, në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal i Zi e kudo, sa herë një zyrtar i lartë amerikan viziton Tiranën.
Duhet të jemi krenar për aleancën që kemi me SHBA, për këtë pozicionim në anën e drejtë të historisë , kjo mbi të gjitha vjen nga sentimenti e orientimi i shoqërisë, i njerëzve i kombit që ka rrokur në masë dërrmuese vlerat perëndimore.
Raporti special e i ngrohtë që kemi me SHBA është në radhë të parë meritë e qytetarëve, më tej e politikanëve.
Ka qenë lajm i mirë për ne kur erdhi Colin Poëell, Madeleine Albright, John Carry, Hillary Clinton, dhe ngjarje kulminante vizita e George Bush, ku u pohua ajo që ndodhi pak më vonë, pavarësia e Kosovës.
Mbërritja e Antony Blinken pasuron këtë traditë të çmuar, dhe e veçon Tiranën tonë si qendër e rëndësishme në rajon, e pikë kyçe e partneriterit strategjik. Jam i bindur se këto marrëdhënie nuk duhen marrë asnjëherë si të mirëqena, ato duhen ushqyer vazhdimisht. Ajo që lypset ne të bëjmë në këtë drejtim është jo e lehtë. Më së pari, kemi detyrën ta ngremë Shqipërinë në stadin e një vendi normal demokratik, ku respektohen të drejtat e njeriut, ku luftohet korrupsioni, ku mbahen zgjedhje të lira e të ndershme, ku pushtetet janë të ndara e ku qeveria kontrollohet e jep llogari. Në këtë mënyrë ne tregohemi në të vërtetë pro-amerikanë dhe meritojmë mbështetjen e shtetit më të rëndësishëm të globit.