“Nuk ka asnjë tunel në të cilin ai mund të fshihet prej nesh”. Me këtë kërcënim e ka shoqëruar ushtria izraelite publikimin e një video ku IDF pretendon se shfaqet lideri i krahut të armatosur të Hamas, Yahya Sinwar.
Pamjet e publikuara janë filmuar nga një kamer sigurie në një nga tunelet e Gazës. Sipas IDF, aty shihet Sinwar, duke u larguar nga qyteti Khan Yunis, së bashku me një nga bashkëshortet dhe fëmijët e tij.
Sipas gazetës izraelite “Jerusalem Post”, videoja i përket 7 tetorit të vitit të shkuar, kur filloi lufta e Hamasit.
“Forcat izraelite do ta gjejnë Sinwar-in të vdekur apo të gjallë“, tha zëdhënësi ushtarak izraelit, Daniel Hagari, pas publikimit të videos.
Zëdhënësi i forcave të armatosura izraelite, sqaroi se ushtria arrestoi familjarë të liderëve të Hamasit, duke shtuar se këta të afërm i kanë dhënë IDF-së shumë informacione.