Vetëm pak pas kërcënimeve të ish-presidentit Donald Trump se nëse rizgjidhet president, do të ndjekë një linjë të ashpër me anëtarët e NATO-s që nuk paguajnë të plota detyrimet ndaj aleancës, përfshirë dhe braktisjen e tyre para Rusisë, numri i paguesve tani po shtohet: Nga 11 që ishin shtetet e dalluara anëtare gjatë 2023-shit, tani llogaritet se 18 nga 31 shtetet anëtare të organizatës së Atlantikut Verior do ta arrijnë kuotën e 2% të GDP-së.

Këtë e pohoi sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, i cili u shpreh i bindur se këtë vit, do të jenë më të shumtë ata që do të arrijnë shifrën e nevojshme të ndahet për mbrojtjen. Një prej këtyre vendeve është edhe Gjermania, e cila në konrast me përkufizimin si “motori ekonomik” i Europës, nuk e arrin prej një kohe të gjatë nivelin e kërkuar të shpenzimeve të mbrojtjes. Stoltenberg pohoi përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel se shpenzimet e partnerëve europianë do të arrijnë në një total prej 380 miliardë dollarësh (rreth 355 miliardë euro).

“Vitin e kaluar, pamë një rritje të paprecedentë prej 11 përqind të shpenzimeve të mbrojtjes tek të gjithë aleatët europianë dhe Kanadaja. Këtë vit pres që 18 aleatë të shpenzojnë dy përqind të PBB-së së tyre për mbrojtjen. Ky është një nivel tjetër rekord dhe një rritje gjashtëfish krahasuar me 2014-tën kur vetëm tre aleatë e arrinin këtë objektiv”- tha Stoltenberg.

Me komentet e tij se nuk do të mbronte shtetet e NATO-s të sulmuara nga Rusia që nuk i përmbushin detyrimet e tyre për shpenzimet ushtarake, Trumpi vuri në dyshim detyrimin e aleancës për t’i ofruar ndihmë cdo vendi anëtar në rast rreziku, sic e parashikon neni 5 i traktatit themelor të aleancës. Deklarata e tij shkaktoi kritika të ashpra sidomos në Europë, por nga ana tjetër kjo dhe pohime të tjera të mëparshme të kësaj natyre të republikanit që shpreson rikthimin ne krye të Shtëpisë së Bardhë, e kanë shkundur apatinë e vendeve aleate, duke i nxitur të ndaujnë më shumë para për mbrojtjen, përfshirë këtu shtete të fuqishme të Europës si Gjermania e Franca.