Ukraina dhe Rusia kanë shkëmbyer sulme raketore dhe me dronë të enjten. Të dyja palët kanë raportuar për të vrarë dhe të plagosur në mesin e civilëve nga këto sulme.

Ukraina lëshoi sirenat për të paralajmëruar për sulme ajrore, pasi ishin vërejtur avionët luftarakë rus, MiG-31, të cilët ishin ngritur nga fushat ajrore ushtarake brenda Rusisë.

Oleh Synyehubov, guvernatori i rajonit lindor të Ukrainës, Harkiv, tha se numri i të vrarëve gjatë sulmeve raketore ruse gjatë natës në fshatin Veliki Burluk në afërsi të kufirit me Rusinë, është ngritur në pesë, pasi u nxor trupi i një gruaje 27-vjeçare nga rrënojat.

“Deri tani, pesë civilë janë vrarë – tri gra të moshës 74, 54 dhe 27 vjeçe, si dhe dy burra të moshës 41 dhe 53 vjeçe”, shkroi Synyehubov në Telegram.

Autoritetet lokale thanë se Rusia i goditi dy ndërtesa banimi me raketa S-300.

Mbrojtja Ajrore e ushtrisë ukrainase raportoi se i ka rrëzuar 13 nga 26 raketat e shkrepura nga Rusia në valën e fundit të sulmeve ajrore të enjten.