Zëvendëspresidentja amerikane, Kamala Harris, ka thënë të premten se Shtetet e Bashkuara janë duke punuar për ta konfirmuar vdekjen e liderit opozitar rus, Alexei Navalny, kritikut të zëshëm të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Një departament lokal i Shërbimit Federal të Burgjeve të Rusisë tha të premten në mesditë se Navalny ka vdekur në burg.

Harris, duke folur nga Konferenca e Munihut në Gjermani, tha se nëse konfirmohet vdekja e tij, do të jetë një tregues tjetër i brutalitetit të presidentit Putin.

“Ky është një lajm i tmerrshëm, për të cilin po punojmë që ta konfirmojmë. Nëse konfirmohet, ky do të ishte një tregues i mëtejmë i brutalitetit të Putinit. Çfarëdo rrëfimi që ata të kenë [Rusia], më lejoni të jemi të qartë: Rusia është përgjegjëse. Më vonë do të komentojmë më shumë për këtë çështje”, tha ajo.

Raportimi për vdekjen e Navalnyt ka nxitur zemërim dhe dënim nga liderët botërorë që e kanë thënë se kritiku i Kremlinit ka paguar “çmimin më të lartë” për kurajën e tij për të folur kundër udhëheqjes së shtetit.

Në deklaratën e Shërbimit Federal të Burgjeve u tha se Navalny u ndje keq, pas ecjes më 16 shkurt dhe më pas humbi vetëdijen.

“Të gjitha masat për ta kthyer në jetë u ndërmorën, por ato nuk prodhuan rezultate pozitive. Mjekët e autoambulancës e shpallën të vdekur të burgosurin. Shkaku i vdekjes është duke u përcaktuar”, u tha në deklaratën e Shërbimit rus, njoftim që nuk ka qenë e mundur të konfirmohet në mënyrë të pavarur.

Mediat e kontrolluara nga shteti rus po ashtu kanë cituar këtë deklaratë, duke raportuar se Navalny, 47 vjeç, ka vdekur.

Media shtetërore, TASS, citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se presidenti rus, Vladimir Putin, është informuar për raportimet lidhur me vdekjen e Navalnyt dhe se ai nuk kishte informacione për shkakun e vdekjes së tij.

Por, sekretarja për media e Navalnyt, Kira Yarmysh, shkroi në X, që më herët njihej si Tëitter, se ekipi i kritikut të Kremlinit, nuk ka konfirmim për vdekjen e tij.

“Shërbimi Federal i Burgjeve në qarkun Jamalo-Nenets po shpërndan lajme për vdekjen e Aleksei Navalnyt në burgun IK-3. Ne ende nuk kemi konfirmim për këtë lajm. Avokati i Navalnyt do të shkojë atje dhe sapo të kemi informacione, do t’iu njoftojmë”, shkroi ajo.

Avokati Leonid Solovyov tha për Gazetën Novaya se me kërkesë të familjes, ai nuk do të komentojë raportimet për vdekjen e Navalnyt.

“Me vendim të familjes së Aleksei Navalnyt, unë nuk do të komentoj për asgjë. Aleksei u takua me një avokat më 14 shkurt. Gjithçka ishte në rregull”, citohet të ketë thënë Solovyov.

Navalny, një kritik i zëshëm i Putinit, është mbajtur në burgun rus prej vitit 2021 nën akuza që janë cilësuar nga shumë si të nxitura politikisht.

Në gusht, Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate ekstremiste, gjë të cilën e ka mohuar gjithmonë, dhe u dënua me 19 vjet burgim shtesë.

Ai veçse ishte dënuar me nëntë vjet burgim për shkelje të lirimit me kusht, për mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës./REL