Me ftesë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj një përfaqësi të zgjedhurish nga krahinat e komunave arbëreshe do të marrin pjesë në festimet e 580-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.
Njoftimi i Presidencës:
Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z Bajram Begaj, pret nesër një delegacion të gjerë arbëreshësh nga Italia, të cilët do të zhvillojnë një vizitë treditore në Shqipëri me rastin e kremtimit të 580 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës.
Në të marrin pjesë drejtues të krahinave dhe komunave arbëreshe, aktivistë, gazetarë dhe përfaqësues të shoqatave që i shërbejnë dhe kontribuojnë për këtë komunitet dhe forcimin e lidhjeve me Shqipërinë.
Pritja e arbëreshëve zhvillohet në Institucionin e Presidencës më datën 2 mars në orën 07:30
Më pas Presidenti i Republikës bashkë me delegacionin arbëresh nisen për në Lezhë.
Kremtimi i 580 vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës, nis në orën 10:30 me ceremoninë tek Obelisku i Besëlidhjes së Lezhës e vijon me vizitën në Panairin e Trashëgimisë Kulturore.
Ceremonia zyrtare mbahet në Pallatin e Kulturës Lezhë, ku Presidenti Begaj do të mbajë një fjalë për të pranishmit.