Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u shfaq sot para medias me pakënaqësi ndaj SPAK, kur deklaroi se pret prej dy muajsh që prokuroria t’i vërë në dispozicion dosjen hetimore në ngarkim të tij.
Sipas Beqjas, SPAK po krijon pengesë artificiale, ndaj i kërkoi gjyqtarit të çështjes të veprojë me shpejtësi.
“Që në dhjetor, pas seancës së parë, kemi konstatuar që dosja është voluminoze. Kemi kërkuar që të njihemi me përmbajtjen e dosjes që të ishim të përgatitur, qoftë për seancat e pyetjeve, qoftë edhe për të qenë pjesë aktive e hetimit. Kjo kërkesë na është pranuar nga prokurorët që në fund të dhjetorit, por SPAK prej dy muajsh na ka krijuar një pengesë artificiale për të penguar dosjen dhe avokatët janë drejtuar pardje gjyqtarit dhe tashmë është vendimi i tij që do të na mundësojë aksesin në dosjen hetimore që në këtë nivel, meqenëse prokurorët e kanë pranuar që mund ta kemi. Unë do të doja që qytetari të veprojë me shpejtësi”, tha Beqaj.