Përkeqësimi i kushteve të motit që filloi që mbrëmjen e së hënës bëri që sot një skaf të përfundonte në bregdetin e sektorit Hekurudha, në plazhin e Durrësit.
Në pamundësi për ta nxjerrë skafin në det, si pasojë edhe e zbaticës, 10 djem të rinj u angazhuan pak pas mesditës për ta shtyrë drejt thellësisë.
Për rreth gjysëm ore ata tentuan në forma të ndryshme për ta spostuar skafin por sipërmarrja e tyre nuk ishte aspak e lehtë për shkak edhe të përmasave të mjetit lundrues.
Nëse skafi do të qëndronte edhe një natë aty rrezikonte të dilte edhe më në breg pasi parashikohet përkeqësim i kushteve të motit gjatë pasdites dhe ditës së nesërme.
Siç shihet qartë në pamjet filmike që kanë mbërritur në redaksinë e “DurrësLajm”, pas rreth gjysëm ore manovrash dhe shtytjesh djemtë arritën më në fund ta spostonin skafin drejt thellësisë.
Në fund, një xhiro me skaf ishte shpërblimi i merituar pas një pune aspak të lehtë.





