Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë për të rinjtë e arrestuar për vrasjen e 39-vjeçarit Armando Baboçi, ngjarje e ndodhur më 18 shtator në lagjen nr.13.
Mësohet se për dy nga tre të akuzuarit për veprën penale “Vrasje me paramendim”: Klodjan Daçi dhe Sergio Tatasi u dha masa e sigurisë “arrest me burg” nga gjyqtari Vladimir Skënderi.
Duke qenë se shtetasi Henri Tatasi ndodhet në spital ku dhe po merr mjekim pas plagëve të shkaktuara nga sherri, seanca gjyqësore për masën e sigurisë ndaj tij do të zhvillohet në ambientet e spitalit.
Ndërsa për shtetasit Endri Cimo (Bregu) dhe Argit Kastrioti të arrestuar për “Moskallëzim krimi” është dhënë masa e sigurisë “detyrim paraqitjeje”.
Ngjarja e rëndë me një viktimë e dy të plagosur ndodhi mbrëmjen e të premtes në Plazh pas një sherri masiv për arsye banale, ku u përfshinë shumë persona, të cilët u konfliktuan mes tyre fillimisht me mjete të forta e më pas u përdorën armët.
Të plagosur mbetën djali i viktimës Erald Gjini si dhe një nga autorët e arrestuar, Henri Tatasi. Lidhur me ngjarjen, policia arrestoi 5 të rinjtë ndërsa shpalli në kërkim edhe 3 persona të tjerë





