Gjykata e Durrësit ka lënë në burg pa afat 26-vjeçarin Arbër Kote, i cili akuzohet për vrasjen e 34-vjeçarit Idajet Dulla.
Në seancën e zhvilluar mëngjesin e sotëm, 26-vjeçari është shfaqur i penduar për ngjarjen e së shtunës.
Kote ka deklaruar se gjithçka ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes, ndërsa konflikti lindi pas debatit për bllokimin e rrugës.
Para trupit gjykues 26-vjeçari ka deklaruar se “i kërkova të më lironte rrugën, por ai reagoi duke më fyer dhe qëlluar. Thikën e nxora për vetëmbrojtje, pasi nuk kisha për qëllim ta vrisja”.
Prokurori Bledar Bregu ka deklaruar se pavarësisht rrethanave, ka prova të mjaftueshme që fajësojnë personin nën hetim duke kërkuar masën arrest me burg. Kërkesa e prokurorisë është pranuar nga trupi gjykues i drejtuar nga gjyqtari Rexhep Bekteshi, duke vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Avokati i të pandehurit, Aleksandër Ndreaj pasi shprehu ngushëllimet për familjen e Idajet Dullës, tha përpara kamervae pas përfundimit të seancës se ngjarja ka pasur si pikënisje një konfikt momental dhe Kote ka shprehur pendesë të thellë për të.





