Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e territorit është drejt fundit të operacionit për shembjen e pallatit 13 katësh në lagjen nr.17 në Durrës.

“Ditën e dielë do të kryhet një shpërthim për dobësimin e konstruksionit të brendshëm që të krijohet mundësia për rënie sa më të lehtë të objektit”, u shpreh Ardian Halili drejtues i IMT Durrës.

Ky operacion vlerësohet nga ekspertët shumë i vështirë për t’u kryer pasi ndërtesa ka një mur betoni të trashë 40 cm i ndërtuar në çdo kat. Drejtues të IKMT-së që po punojnë për këtë operacion shpjegojnë vështirësitë me të cilat janë përballur.

Drejtori i zbatimit të vendimeve në IKMT, Fatmir Meta tha se po punohet që të minimizohen sa më shumë dëmet te ndërtesat rreth e rrotull dhe shpreson që gjithçka të shkojë mirë.

“Ky objekt është tepër i vështirë për t’u ekzekutuar. Është një objekt 13 katësh, i cili përbëhet nga një kat bodrum dhe 12 kate ndërtim. Veçantia e këtij objekti është se duke filluar nga themelet e deri në kat të 12-të përbëhet prej 14 muresh beton e dy zgara hekuri. Kjo përbën dhe vështirësinë kryesore të shembjes së objektit.”, tha Meta ndërsa bëri me dije më tej se gjithsej do të jenë 12 shpërthime të ndara nga njëra-tjetra deri në shembjen e godinës së dëmtuar nga tërmeti.

“Kjo bëhet që dëmet të jenë të minimizuara për banorët (e zonës)”, pohoi ai.

I gjithë pallati pritet të shëmbet pas 2 javësh për t’i hapur rrugën ndërtimit nga e para. Ai u dëmtua rëndë nga tërneti i 26 nëntorit.