Bayern Munich po shton përpjekjet për të sjellë një trajner të ri për të zëvendësuar Thomas Tuchel, i cili do të largohet në verë.

Në krye të listës së bavarezëve është trajneri i Bayer Leverkusen, Xabi Alonso, i cili po impresionon në Bundesligë.

Nëse Bayern nuk arrin dot marrëveshje me trajnerin spanjoll, ata do të zhvendosin fokusin e tyre te taktikani i Brighton, Roberto De Zerbi, i cili është i vetëdijshëm për interesin e bavarezëve.

De Zerbi është i informuar për interesimin e Bayernit, por ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.

Bisedimet në prapavijë janë zhvilluar, me De Zerbin, Alonson, por edhe kandidatë të tjerë.

CEO i Bayernit është një tifoz i madh i De Zerbit, i cili është gjithashtu në listën e Barcelonës.

Ndërkaq drejtori sportiv Max Eberl ka folur gjithashtu me De Zerbi për një lëvizje të mundshme në Mynih, megjithatë për momentin nuk ka një akord mes palëve.

Bayern do të ketë konkurrencë të fortë për të nënshkruar me trajnerin italian, pasi klubet e tjera të mëdha po kërkojnë ta tërheqin De Zerbin nga brigjet angleze.