Më 16 shtator 2020, Qeveria vendosi shpalljen zonë e re për zhvillim të territorit, me sipërfaqe prej 20 847 m2, si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar në njësinë administrative Manëz, Bashkia Durrës. Po ashtu Fondi Shqiptar i Zhvillimit u caktua si njësi zbatuese për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike,
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.
Vendimi i Këshillit të Ministrave:
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E ZONËS SË RE PËR ZHVILLIM NË NJËSINË ADMINISTRATIVE MANËZ, BASHKIA DURRËS, DHE CAKTIMIN E FONDIT SHQIPTAR TË ZHVILLIMIT SI NJËSI ZBATUESE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarjet “iii” dhe “iv”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen zonë e re për zhvillim të territorit, me sipërfaqe prej 20 847 (njëzet mijë e tetëqind e dyzet e shtatë) m2, si zonë e përshtatshme për zhvillimin e detyruar, sipas hartës dhe koordinatave bashkëlidhur këtij vendimi, në njësinë administrative Manëz, Bashkia Durrës.
2. Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për këtë zonë, si njësi zbatuese, për:
a) ndërtimin e banesave të reja ose të ndërtesave publike të dëmtuara;
b) ndërtimin dhe rikonstruksionin e infrastrukturës publike e kritike,
c) realizimin e ndërtimeve në këtë zonë;
ç) çdo ndërhyrje tjetër në funksion të rindërtimit të kësaj zone.
3. Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Bashkia Durrës dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.





