2,5 milionë tonë mallra janë përpunuar gjatë 8 muajve në Portin më të madh në vend. Sipas të dhënave nga Sektori i Statistikave në APD, mësohet se gjatë periudhës janar-gusht 2020, janë përpunuar 866 mjete lundruese, respektivisht 380 anije tregtare dhe 486 tragete.
Volumi më i madh i mallrave është përpunuar me kontejnerë, që zë 40 % të totalit të përpunuar gjatë këtyre 8 muajve, ndjekur nga mallrat gjenerale të përpunuara në Terminalin Perëndimor, në të cilin janë përpunuar 547 mijë tonë mallra ose 22 % e sasisë totale, në Terminalin e Trageteve 20% dhe 18 % e mallrave janë përpunuar në Terminalin Lindor.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, vihet re një rënie me 9 % e sasisë së mallrave të përpunuara në kalatat portuale, si pasojë e kushtëzimeve të shkaktuara nga pandemia e Covid-19 edhe në sektorin e transportit detar.
Në Terminalin Perëndimor janë përpunuar 179 anije transporti, ndërsa në atë Lindor 85 të tjera. Ndërkaq, në të njejtën periudhë kohore në Terminalin e Konteinerëve janë akostuar dhe përpunuar 116 anije të specializuara me kontejnerë.