Shfaqja e Champions League fillon sërish me Real Madrid-Manchester City, më të mirët nga më të mirët.

Një shfaqje me dy takime, që tashmë në çerekfinale mban aromën e një finaleje të pritur me shumë kampionë në fushë dhe dy në stol: Ancelotti dhe Guardiola.

Një ndeshje e madhe e pasuruar nga sfida e golit mes Haaland dhe Vinicius, do të mbajë miliona tifozë të mbërthyer pas televizorit në të gjithë botën.

“Aspekti mendor do të jetë i rëndësishëm. Ne duhet të kemi guxim dhe personalitet në fushë. Jam i bindur se do të japim maksimumin, kemi cilësi të mjaftueshme për të konkurruar”, shpjegoi trajneri Carlo Ancelotti, i cili më pas zbuloi se çfarë mësoi nga viti i kaluar.

“Vjet luajtëm pa guxim dhe pa personalitet. Janë dy aspekte shumë të rëndësishme… dhe na munguan. Natyrisht mungoi edhe loja. Ne nuk e menaxhuam ndeshjen në mënyrën më të mirë, ishte një çështje mendore dhe teknike. Ata na bën shumë presion dhe ne nuk dinim të bënim zgjidhje të tjera”.

Më pas Don Carlo bëri disa komente për protagonistët. “Lojtarët e cilësisë më të lartë do të jenë vendimtarë. Ka shumë lojtarë nga të dyja skuadrat me shumë cilësi. Kjo do të përcaktojë ndeshjen, siç ndodh gjithmonë. Bellingham është një lojtar fantastik, ai di si të hyjë në zonë në kohën e duhur. Fizikisht ai është shumë i fortë, ai mund të mbulojë shumë fushë dhe të kontribuojë shumë në mbrojtje. Ai krijon hapësira dhe mundësi për ne”, u shpreh Ancelotti. 

Akti i parë Real-City luhet të martën në stadiumin “Santiago Bernabeu”, duke nisur nga ora 21:00.