Edmond Dibra, babai i Denisa Dibrës, një prej të plagosurave në aksidentin tragjik të pasdites së djeshme në dalje të tunelit në aksin Tiranë-Elbasan, për News 24 ka treguar telefonatën e fundit me vajzën.

Fatkeqësisht ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra dy vajzat Lusinda Garunja dhe Zhenete Qallia, ndërsa të plagosura janë motra e Lusindës, Nevida Garunja dhe Denisa Dibra që ishte edhe pronare e makinës tip ‘Volkswagen’.

Edmondi ka treguar se vajzat ishin duke festuar ditëlindjen e viktimës Lusinda Garunja dhe kur kishte folur në telefon, vajza i kishte thënë se po kënaqeshin dhe do ktheheshin në Shkodër nga ora 18:00.

Por ky orar kishte kaluar dhe pasi ora kishte shkuar 20:00 dhe e kishte marrë në telefon, një djalë nga Elbasani i ishte përgjigjur dhe i kishte dhënë lajmin e tmerrshëm.

Ai thotë se aktualisht dy të plagosurat janë në gjendje stabël, ndërsa kërkon dënimin e shoferit Behar Pema, që shkaktoi aksidentin fatal, pasi drejtonte mjetin në gjendje të dehur.

“Vajzat kanë qenë duke festuar ditëlindjen e Lusida Garunjës. Fola me vajzën në telefon dhe më tha se po kënaqemi dhe nga ora 18:00 do të kthehemi për në Shkodër.

Isha në një lokal në qytetin e Shkodrës. U bëra merak se kur shkoi ora 20:00 vajza s’më mori. E mora në telefon dhe mu përgjigj një djalë nga Elbasani.

E falënderoj djalin që i dha ndihmën e parë vajzës. Të katërta vajzat ishin si të miat pasi Denisa i kishte shumë shoqe. Të dënohet ai kriminel që shkaktoi aksidentin”– tha ai.