Nis nga puna sistemi e-Filing për deklarimin e pagesave elektronike nga tatimpaguesit.
Pas ankesave të biznesit dhe ekonomistëve mbajtës të bilanceve për bllokim të e-Filing që në orët e para të mëngjesit, sistemi i është rikthyer normalitetit gjatë pasdites.
Edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u sqarua më herët se po punohet për funksionimin e sistemit.
Bizneset dhe ekonomistët ngritën shqetësimin se prej mëngjesit të ditës së sotme, faqja e deklarimeve nëpërmjet sistemit e-Filing nuk funksiononte.
Për bizneset sot është afati i fundit i pagesave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe pagesës së tatimit në burim. Afati për deklarimin e tyre është jo më vonë se data 20 e muajit që pason periudhën tatimore.
Kalimi i afatit rrezikon me ngarkesë penalitetesh, pavarësisht se edhe në raste të mëparshme të bllokimit të sistemit ndaj tatimpaguesve nuk ka pasur aplikim gjobash.