Veshjet njëngjyrëshe janë të pagabueshme, por stina e ngrohtë të ofron lirshmërinë për të kombinuar tonalitete të ndryshme. Pasarelat kanë sugjeruar zgjedhje të ndryshme në koleksionet pranverë-verë dhe disa prej tyre mund të tundojnë edhe minimalistët.
Një ngjyrë klasike e kombinuar me trendin e momentit duket si një dualitet që s’përshtatet, por është një ide që do t’i rezistojë gjithnjë kohës. Zbuloni 5 kombinimet elegante të ngjyrave që duhet t’i provoni në 2024-n.
E kuqe dhe kafe
Çfarë ndodh kur përplasen dy ngjyrat më trend të sezonit? Disa mund të mendojnë një katastrofë, ndërsa Altuzarra na tregoi se sa e bukur mund të jetë. Të dyja ngjyrat janë më shumë sesa thjesht trende pasi i gjejmë të pranishme në çdo stinë. Bashkë janë edhe më të bukura.
Krem dhe e kaltër
Çdo ngjyrë shkon me tonet e së bardhës por ky kombinim është tmerrësisht chic. E kaltra e zbehtë ishte trendi më i madh i pasarelave. Për ta bërë pjesë të veshjes, guxoni me një aksesor si çanta, këpucët apo përfshijeni duke veshur një xhaketë.
Vishnje dhe pjeshkë
Kur Pantone njoftoi se “peach fuzz” do të ishte ngjyra e vitit, pati shumë reagime por pasarelat e përqafuan menjëherë dhe na dhanë disa ide kombinimi. Bottega Veneta ofroi një sugjerim shumë të guximshëm pasi vishnja e errët duket tërësisht e transformuar nga butësia e ngjyrës së çelët të pjeshkës.
E gjelbër pastel dhe e kuqërremtë
E kuqërremta është një ngjyrë neutrale që mund ta vishni gjithë vitin, edhe me xhinse por Calcaterra sugjeron ta kombinoni me një xhaketë në të gjelbër pastel. Tonaliteti i fortë përshtatet shumë bukur me delikatesën e së gjelbrës dhe sjell një pamje të pastër.
E verdhë dhe bezhë
Bezha është ngjyra neutrale që ju lejon të luani si të doni me kontrastet e forta. Ndaj pse mos të guxoni me të verdhën vezulluese që i shkon kaq shumë motit të ngrohtë? Nëse nuk doni që të tërhiqni kaq shumë vëmendjen mund të përdorni bizhuteri të verdha, këpucë, aksesorë për flokët megjithatë mos ngurroni të guxoni.