Disa këngë të yllit të popit Taylor Swift janë hequr nga videot e publikuara në rrjetet sociale nga fushata e presidentit amerikan Donald Trump dhe Shtëpia e Bardhë.
Gjatë javës së fundit, fushata e Trump kishte përdorur dy këngë të Swift në videot e saj në TikTok. Një prej videove përdorte tituj dhe vargje të njohura nga këngët e saj, të përshtatura për të mbështetur Trump dhe politikat e tij.
As Shtëpia e Bardhë dhe as përfaqësuesit e Taylor Swift nuk kanë dhënë menjëherë një koment për heqjen e këngëve.
Swift nuk është shprehur së fundmi për Trump, por në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 ajo mbështeti kundërshtaren e tij demokrate, Kamala Harris. Edhe në vitin 2020, këngëtarja kishte kritikuar Trump dhe kishte deklaruar se nuk e dëshironte si president.
Trump, nga ana tjetër, e ka sulmuar vazhdimisht Swift. Pas mbështetjes së saj për Harris, ai shkroi në rrjetet sociale se e “urren” Taylor Swift.
Fushata e Trump dhe administrata e tij kanë përdorur edhe më parë këngë të artistes në videot e tyre. Në muajt e fundit, këngët e Swift janë shfaqur në materiale që lidhen me Trump, Shtëpinë e Bardhë dhe aktivitetet e administratës së tij.
Swift nuk është artistja e vetme që ka kundërshtuar përdorimin e muzikës së saj nga administrata Trump. Dhjetëra këngëtarë, mes tyre Sabrina Carpenter dhe Ariana Grande, kanë kërkuar që administrata të mos përdorë këngët e tyre.
Përdorimi i këngëve të artistëve nga fushatat politike është bërë shpesh shkak për debate, veçanërisht kur artistët nuk kanë dhënë miratimin e tyre për përdorimin e muzikës.





